Histori

Shkolla jonë, u hap për herë të parë në vitin 1959 dhe deri në vitin 2000, njihej si shkolla “Teknologjike”. Në vitin 2000, për shkak të numrit të lartë të nxënësve që studionin në “Hoteleri-Turizëm”, MASH miratoi kërkesën e drejtorisë së shkollës për ndryshimin e emrit nga shkolla “Teknologjike” në shkolla “Hoteleri-Turizëm”.

Në vitin shkollor 1995-1996, falë një bashkëpunimi mes Qeverisë shqiptare dhe asaj austriake., u hap për herë të parë në Shqipëri, Drejtimi mësimor «Hoteleri-Turizëm », degë e cila do të përgatiste punonjës të kualifikuar dhe drejtues sektorialë të bizneseve të Hotelerisë dhe të Turizmit.

Në vitin 1996-1997, u krijua klasa e parë në këtë drejtim, pasi u konsiderua që Tirana ofronte shanse të shumta për faktin e të qenit kryeqytet, qytet me histori, kulturë dhe traditë të vjetër, por edhe për mundësitë e shumta për punësimin e të rinjve që do të përfundonin studimet në këtë drejtim,  si dhe mundësisë për të vlerësuar ecurinë dhe suksesin e projektit.

Kontribut të veçantë në konkretizimin dhe zbatimin e marrëveshjes ka dhënë projekti austriak, nëpërmjet zyrës për arsim në Tiranë, KulturKontakt, Austria. Në vitet 1995-2007, janë realizuar shume aktivitete:  trajnime profesionale me mësuesit dhe drejtuesit e shkollës, kryesisht në Austri, por edhe në Shqipëri, krijimi i infrastrukturës profesionale për praktika mësimore, hartimi i materialeve mësimore, pajisja me bazë materiale e reparteve të praktikës profesionale etj. Pas shumë viteve eksperiencë në këtë drejtim,  shkolla aktualisht ka një infrastrukturë të përshtatshme dhe një personel mësimor të trajnuar për të përgatitur punonjës të kualifikuar në fushën e hotelerisë dhe të turizmit, krahas profileve të tjera të konsoliduara në fushën e Teknologjisë Ushqimore. Ambientet dhe cilësia e mësimdhënies si dhe përgatitja e kurrikulave shkollore dhe materialeve mësimore nga vetë mësuesit e shkollës, bëjnë të mundur një përgatitje cilësore të nxënësve tanë. Ky fakt është shoqëruar me një rritje të numrit të nxënësve që kërkojnë të studiojnë në shkollën tonë,  si dhe të numrit të nxënësve të punësuar pranë bizneseve.

Që nga viti 2000, jemi anëtarë të Shoqatës së shkollave Hoteliere Evropiane, AEHT me qendër në Luksenburg, si e vetmja shkollë shqiptare.

Falë këtij anëtarësimi që nga viti 2000, shkolla ka marrë  pjesë rregullisht në shumë aktivitete të organizuara nga kjo shoqatë në vende të ndryshme (konkurse, trajnime mësuesish, panaire, si dhe në mbledhjet e përvitshme të drejuesve të shkollave hoteliere), ku ka patur paraqitje dinjitoze të ekipit shqiptar dhe janë fituar edhe çmime.

Vazhdimisht shkolla prezantohet kudo në aktivitetet e organizuara brenda vendit si panaire, ekspozita dhe konkurse.

Në vitin 2009-2010, me ndryshimet që ndodhen në arsimin profesional, shkolla  tashmë ka një strukturë 2+1+1 dhe 2+2 vjeçare, që do të thotë më shumë fleksibilitet për në tregun e punës dhe të shkollimit.

Ofrohet nga Profilet
“Hoteleri-Turizëm” Hoteleri-Turizëm
“Hoteleri-Turizëm” Teknologji Ushqimore
“VET by EHL” Kuzhinë
“VET by EHL” Hoteleri
“VET by EHL” Shërbim ushqim dhe pije

Mësuesit e shkollës janë hartues të shumë materialeve kurrikulare që shërbejnë për të gjithë sistemin e shkollave të hotelerisë në Shqipëri dhe atë të të Teknologjisë Ushqimore.

Ata janë trajnerë të certifikuar në edukim, autore tekstesh apo materialesh mësimore.

Mësuesit e shkollës dhe nxënësit tanë, janë pjesë e shumë projekteve të realizuara në arsimin profesional si dhe të vlerësuar në këto pjesëmarrje dhe prezantime.

Në vitin 2019, pas një rikonstruksioni të plotë, shkolla ndërroi totalisht pamjen e saj. U shtua numri i ambienteve për mësim dhe praktikë profesionale dhe u pasurua baza materiale didaktike për zhvillimin e mësimit në kushte bashkëkohore.

Gjithashtu shkolla ndodhet në një territor të përbashkët me Konviktin, duke iu dhënë mundësi nxënësve që vijnë nga rrethe të ndryshme, për strehim dhe mësim.  

Në vitin shkollor 2020-2021, u ngrit për herë të parë në shkollë, Njësia Zhvillimore, në mbështetje të punës së drejtorisë së shkollës, me detyra të përcaktuara qartë. Kjo njësi ka bërë të mundur bashkërendimin e punës me Drejtorinë e shkollës për garantimin e cilësisë në shkollë.

Prioritet i shkollës ndër vitë është bashkëpunimi me bizneset, jo vetëm për realizimin e praktikave profesionale të nxënësve në biznes, por edhe në bashkëpunime të tjera si mësimdhënia, trajnimi i mësuesve, vlerësimi i nxënësve në biznes dhe në provimet përfundimtare të Niveleve në shkollë. Biznest partnere të shkollës janë aktivë dhe bashkëpunëtorë të suksesshëm. Komunikimi me bizneset dhe realizimi i aktiviteteve të përbashkëta me ta, ka qenë synimi kryesor i drejtorisë së shkollës gjatë hartimit të planeve të zhvillimit të saj.

Një pjesë e rëndësishme e procesit mësimor praktik realizohet pranë këtyre bizneseve. Ky bashkëpunim tashmë është i institucionalizuar dhe funksionon shumë mirë. Mësuesit që ndjekin praktikat pranë bizneseve, mbajnë kontakte me drejtuesit e kompanive dhe transmetojnë pranë Njësisë Zhvillimore të gjithë informacionin e grumbulluar në mënyrë ritmike, për të përmirësuar vazhdiminsht komunikimin dhe bashkëpunimin me këto biznese dhe për të përmirësuar gjithashtu edhe kurrikulën në nivel shkolle. Për t’ju përgjigjur kërkesave të tregut të punës, në vitin shkollor 2021-2022, shkolla ofroi për herë të parë edhe profilin «Shërbime të Udhëtimit dhe të Turizmit » dhe po punon për ngritjen e kapaciteteve dhe krijimin e lidhjeve me bizneset e fushës së Agjencive Turistike. Aktualisht shkolla numëron rreth 220 biznese partnere.

Gjithashtu shkolla punon shumë në drejtim të promovimit dhe marketingut. Në ambientet e shkollës është pasqyruar e gjithë veprimtaria mësimore, edukative e shkollës dhe aktivitetet e larmishme sportive, kulturore dhe profesionale brenda dhe jashtë vendit si dhe çmimet e kupat e fituara, duke bërë prezantimin e saj tek të gjithë : prindër, biznese dhe komunitete, organizata, partnerë etj.

Ritmet e larta të punësimit të nxënësve të shkollës në vite, tregojnë për suksesin e shkollës në përgatitjen e punonjësve të ardhshem të industrisë turistike. Shifrat e larta të punësimit kanë bërë të mundur që përfaqësuesit e biznesit të shfaqin interes të madh për përgatitjen e një brezi të ri të shkolluar mirë dhe profesionalisht të përgatitur.

Krahas procesit mësimor dhe realizimit të praktikave profesionale, shkolla i kushton një vëmendje të veçantë edhe aktiviteteve artistike dhe sportive, si pjesë e rëndësishme e edukimit, argëtimit dhe çlodhjes së nxënësve tanë.

Nxënësit e shkollës sonë marrin pjesë në projekte dhe në aktivitete që kanë lidhje me mjedisin,  ruajtjen dhe pasurimin e tij. Këto aktivitete janë pjesë e formimit të tyre qytetar dhe profesional, nisur nga fakti, se nuk mund të zhvillohet turizmi dhe të prodhohen produkte ushqimore cilësisht të kontrolluara, pa ruajtur dhe pasuruar mjedisin.